1O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate? 2Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar. 3Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore. 4Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj. 5Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli. 6Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij. 7I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë. 8Kanë thënë në zemër të tyre: “T’i shkatërrojmë të gjithë”; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend. 9Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur. 10Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë? 11Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji. 12Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë. 13Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat. 14Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës. 15Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm. 16Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin. 17Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin. 18Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd. 19Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu. 20Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune. 21Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd. 22Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën. 23Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.