1O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta. 2Për t’i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t’u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr 3ës sate, sepse të pëlqenin. 4Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin. 5Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh. 6Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë. 7Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë. 8Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela) 9Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona. 10Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur. 11Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve. 12Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij. 13Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh. 14Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën. 15Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi, 16për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje. 17Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde. 18Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote, 19por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes. 20Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t’i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj, 21a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës. 22Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele. 23Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë. 24Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë? 25Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës. 26Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.