1Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit, 2që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë. 3Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur. 4Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë. 5Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë. 6Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat. 7Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij. 8Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve, 9dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij. 10Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm: 11Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit. 12Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij. 13O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi. 14Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij. 15Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut; 16kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, 17kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre. 18Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata. 19Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin. 20Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin. 21Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.