1Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2Po, Izraeli le të thotë tani: “Dhemshuria e tij vazhdon përjetë”. 3Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: “Dhemshuria e tij vazhdon përjetë”. 4Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: “Dhemshuria e tij vazhdon përjetë”. 5Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg. 6Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu? 7Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi. 8Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut. 9Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave. 10Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato. 11Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj. 12Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj. 13Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi. 14Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im. 15Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi. 16E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi. 17Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit. 18Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes. 19Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin. 20Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të. 21Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im. 22Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes. 23Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona. 24Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të. 25O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi. 26I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. 27Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit. 28Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj. 29Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.