1Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. 2Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. 3Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. 4Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. 5Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, 6ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. 7Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. 8Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, 9besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, 10që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, 11duke thënë: “Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj”, 12kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend, 13dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër. 14Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, 15dhe tha: “Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi”. 16Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. 17Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. 18I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri. 19Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë. 20Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin, 21dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, 22për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë. 23Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit. 24Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij. 25Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij. 26Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur. 27Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit. 28Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij. 29I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij. 30Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre. 31Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre. 32U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre; 33goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre. 34Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh, 35që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre. 36Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre; 37dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej. 38Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta. 39Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën. 40Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit. 41Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë. 42Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij; 43pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi, 44dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve, 45me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.