1A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet? 2Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve; 3bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve; 4“Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. 5Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë. 6Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. 7Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. 8Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur. 9Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen. 10Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur, 11sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të. 12Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim. 13Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. 14Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca. 15Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. 16Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës. 17Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë. 18Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia. 19Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur. 20Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, 21për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre. 22Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta. 23U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte. 24Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm. 25Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave, 26kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut. 27Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës, 28kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës, 29kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut, 30unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; 31kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve. 32Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! 33Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! 34Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia. 35Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit. 36Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen”.