1Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, 2për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura; 3për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, 4për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut. 5I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta, 6për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta. 7Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin. 8Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate, 9sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde. 10Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano, 11në qoftë se thonë: “Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak; 12le t’i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë; 13ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t’i mbushim shtëpitë tona me plaçka; 14ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme”; 15biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre, 16sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak. 17Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh; 18por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. 19Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë. 20Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; 21ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit; 22“Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t’ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen? 23Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t’ju bëj të njohura fjalët e mia. 24Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, 25përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, 26edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, 27kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t’ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi. 28Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. 29Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, 30nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. 31Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. 32Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk; 33por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe”.