1Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: 2“Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. 3Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë. 4Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: “U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë”. 5Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. 6Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë. 7Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre. 8Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. 9Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.” 10Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar. 11Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; 12dhe i tha: “Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?”. Dhe ai mbylli gojën. 13Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”. 14Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”. 15Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë. 16Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve. 17Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?”. 18Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë? 19Më tregoni monedhën e taksës”. Atëherë ata i treguan një denar. 20Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?”. 21Ata i thanë: “E Cezarit”. Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë”. 22Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën. 23Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën 24duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: “Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij. 25Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet. 26Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati. 27Në fund vdiq edhe gruaja. 28Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja”. 29Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë. 30Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë. 31Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë: 32“Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit”? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve”. 33Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij. 34Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok. 35Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë: 36“Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?”. 37Dhe Jezusi i tha: ““Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. 38Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. 39Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. 40Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët”. 41Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti: 42“Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?”. Ata i thanë: “I Davidit”. 43Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë: 44“Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua”? 45Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?”. 46Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.