1Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit, 2dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të”. 3Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. 4Sepse Gjoni i thoshte: “Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!”. 5Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet. 6Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit 7aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t’i jepte çfarëdo që t’i kërkonte. 8Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: “Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit”. 9Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t’ia japin. 10Kështu dërgoi dikë për t’i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg; 11dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s’ëmës. 12Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit. 13Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet. 14Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë. 15Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime”. 16Por Jezusi u tha atyre: “Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë”. 17Dhe ata i thanë: “Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq”. 18Dhe ai u tha: “M’i sillni këtu”. 19Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave. 20Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot. 21Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët. 22Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t’i lëshojë turmat. 23Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare. 24Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt. 25Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det. 26Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: “Éshtë një fantazmë!”. Dhe filluan të bërtasin nga frika; 27por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!”. 28Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra”. 29Ai tha: “Eja!”. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi. 30Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!”. 31Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?”. 32Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi. 33Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!”. 34Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit. 35Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët; 36dhe iu lutën që të mund t’i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.