1Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati. 2Dhe filluan ta paditin duke thënë: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti”. 3Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?”. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Ti po thua”. 4Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: “Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri”. 5Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: “Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu”. 6Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas. 7Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem. 8Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij. 9Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare. 10Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi. 11Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit. 12Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq. 13Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin, 14dhe u tha atyre: “Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni, 15dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj”. 17Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë. 18Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: “Vraje këtë dhe na liro Barabën”. 19Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje. 20Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri. 21Por ata bërtitnin duke thënë: “Kryqëzoje!”. 22Për të tretën herë ai u tha atyre: “Po ç’të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj”. 23Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese. 24Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin. 25Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre. 26Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. 27Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. 28Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: “O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. 29Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: “Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!”. 30Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: “Bini përmbi ne!”, dhe kodrave: “Na mbuloni!”. 31Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç’do të bëhet me të thatin?”. 32Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t’i vrarë. 33Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka”, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. 34Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. 35Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë”. 36Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, 37dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten”. 38Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: “KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE”. 39Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve”. 40Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? 41Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe”. 42Pastaj i tha Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”. 43Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë”. 44Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë. 45Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes. 46Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!”. Dhe, si tha këto, dha fryma. 47Atëherë centurioni, kur pa ç’ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: “Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!”. 48Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç’po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin. 49Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra. 50Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë; 51ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë. 52Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit. 53Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri. 54Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte. 55Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit; 56pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.