1Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. 2Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë. 3Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. 4Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit, 5për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë. 6Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë. 7Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. 8Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. 9Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. 10Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; 11sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. 12Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd”. 13Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: 14“Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”. 15Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: “Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti”. 16Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd. 17Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë. 18Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë. 19Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj. 20Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre. 21Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark. 22Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t’ia paraqitur Zotit, 23ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: “Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin”, 24dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj. 25Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të. 26Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit. 27Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji, 28ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë: 29“Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, 30sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd 31që ti e përgatite përpara gjithë popujve: 32dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit”. 33Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të. 34Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh, 35edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave”. 36Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin. 37Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje. 38Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem. 39Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret. 40Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të. 41Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës. 42Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës. 43Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin. 44Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve; 45dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar. 46Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje. 47Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij. 48Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: “Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!”. 49Por ai u tha atyre: “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”. 50Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre. 51Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj. 52Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.