1Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur, 2duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri. 3Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: “Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim”. 4Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: “Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri, 5duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë””. 6Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë. 7Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre? 8Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?”. 9Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët. 10“Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. 11Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: “O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. 12Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam”. 13Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit”. 14Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet”. 15I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t’i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan. 16Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. 17Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje”. 18Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?”. 19Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. 20Ti i njeh urdhërimet: “Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde””. 21Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia”. 22Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq”. 23Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur. 24Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”. 26Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?”. 27Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë”. 28Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur”. 29Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë, 30që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme”. 31Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen. 32Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë. 33Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë”. 34Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë. 35Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte; 36dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte; 37iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti. 38Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua”. 39Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua”. 40Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t’ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti 41duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?”. Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve”. 42Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi”. 43Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.