1“Tani pra, Job, dëgjo atë që kam për të thënë dhe vëru veshin gjithë fjalëve të mia! 2Ja, unë po hap gojën dhe gjuha ime flet në gojën time. 3Fjalët e mia burojnë nga një zemër e drejtë, buzët e mia do të thonë njohuri të pastra. 4Fryma e Perëndisë më ka krijuar dhe fryma e të Plotfuqishmit më jep jetë. 5Në rast se mundesh, m’u përgjigj; përgatitu gjithashtu të mbrosh pozitat e tua. 6Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili. 7Ja, asnjë frikë nga unë nuk duhet të të lemerisë, dhe dora ime nuk do të rëndojë mbi ty. 8Por ti u ke thënë veshëve të mi dhe dëgjova tingullin e fjalëve të tua, që thonin: 9“Una jam i pastër, pa mëkat; jam i pafajmë, nuk ka asnjë faj tek unë. 10Por Perëndia gjen kundër meje shkaqe armiqësie dhe më konsideron armikun e tij; 11i fut këmbët e mia në pranga dhe kqyr gjithë hapat e mia”. 12Mirë, pra, unë të them se këtu nuk ke të drejtë, sepse Perëndia është më i madh se njeriu. 13Pse hahesh me të, kur ai nuk jep llogari për asnjë nga veprimet e tij? 14Në fakt Perëndia flet në një mënyrë apo në një tjetër por njeriu nuk e vë re: 15në një ëndërr, në një vegim të natës, kur një gjumë i rëndë i zë njerëzit, kur dremitin në shtretërit e tyre. 16Atëherë ai hap veshët e njerëzve dhe vulos paralajmërimet që u bën, 17për ta larguar njeriun nga veprimet e tij dhe për ta mbajtur larg nga kryelartësia, 18për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për të penguar që jeta e tij të mbarojë nga shpata. 19Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij, 20aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme. 21Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë; 22kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen. 23Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpret, një i vetëm ndër një mijë, që t’i tregojë njeriut detyrën e tij. 24Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: “Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të”. 25Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij. 26Do t’i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij. 27Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: “Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja. 28Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën”. 29Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun, 30për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës. 31Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas. 32Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, folë, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë. 33Përndryshe dëgjomë; hesht dhe unë do të të mësoj diturinë”.