1Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha: 2“Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin, 3deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime, 4buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme. 5Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime. 6Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia. 7Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë. 8Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën? 9A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia? 10A do t’i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë? 11Do t’ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t’ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit. 12Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë? 13Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi. 14Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t’u ngopur. 15Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë. 16Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë, 17ai i grumbullon, por do t’i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi. 18Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar. 19I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më. 20Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht. 21Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull. 22Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë, 23njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet”.