1Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha: 2“Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore? 3Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë? 4Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë. 5Sepse prapësia jote t’i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve. 6Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje. 7A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave? 8A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë? 9Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne? 10Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt. 11Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty? 12Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë, 13duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?”. 14“Ç’është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë? 15Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij; 16aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë! 17Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë, 18atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre, 19të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre. 20I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara. 21Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi. 22Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret. 23Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij. 24Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë, 25sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin, 26duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza. 27Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt; 28ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash. 29Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë. 30Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij. 31Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij. 32Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më. 33Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja. 34Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar. 35Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.