1“Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi. 2Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush. 3Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë; 4sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë. 5Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj. 6Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia. 7A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime? 8A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë? 9Do të ishte më mirë për ju që ai t’ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri? 10Me siguri ai do t’ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi. 11Madhëria e tij vallë a nuk do t’ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju? 12Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila. 13Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë. 14Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia? 15Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim. 16Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij. 17Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj. 18Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë. 19Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja. 20Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t’i fshihem pranisë sate; 21largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë. 22Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh. 23Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim! 24Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd? 25Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë? 26Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime? 27Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia, 28Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola”.