1Fjala iu drejtua Jeremias nga Zoti, duke i thënë: 2“Çohu dhe zbrit në shtëpinë e poçarit, dhe atje do të dëgjosh fjalët e mia”. 3Atëherë unë zbrita në shtëpinë e poçarit, dhe ja ai po bënte një punë te rrota. 4Por poçi që po bënte me argjilën u prish në duart e poçarit. Kështu duke e filluar përsëri punën, ai bëri me të një poç tjetër, që iu duk i mirë atij. 5Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë: 6“O shtëpi e Izraelit, a nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?”, thotë Zoti. “Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit! 7Nga një herë për një komb dhe për një mbretëri, unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar; 8por në rast se ai komb kundër të cilit kam folur heq dorë nga ligësia e tij, unë pendohem për të keqen që kisha menduar t’i bëja. 9Herë tjetër për një komb dhe për një mbretëri, unë flas për ndërtim dhe për të mbjella; 10por në rast se ai komb ose ajo mbretëri bën atë që është e keqe në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, unë pendohem për të mirën që i kisha premtuar t’i bëja. 11Prandaj tani folu njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit, dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush. Tani le të heqë dorë secili 12Por ata thonë: “Éshtë e kotë; ne duam të ecim duke ndjekur mendimet tona dhe dëshirojmë të veprojmë sipas kryeneçësisë së zemrës sonë të keqe. 13Prandaj kështu thotë Zoti: “Pyesni, pra, midis kombeve kush ka dëgjuar gjëra të tilla. Virgjëresha e Izraelit ka bërë një gjë të llahtarshme. 14A do të zhduket vallë bora e Libanit nga shkëmbinjtë që lartohen përmbi vendin?, ose a do të thahen vallë ujrat e rrjedhshëm të ftohta të një toke të huaj? 15Megjithatë populli im më ka harruar; u djegin temjan idhujve të kotë, që i kanë bërë të pengohen në rrugët e tyre, në shtigjet e lashta, për të ecur në rrugët dytësore dhe jo në rrugën kryesore, 16duke e bërë vendin e tyre një shkatërrim, një objekt talljeje të vashdueshme; kështu që tërë ata që do të kalojnë andej do të mbeten të habitur dhe do të tundin kokën. 17Unë do t’i shpërndaj përpara armikut ashtu si vepron era e lindjes. Ditën e mjerimit të tyre do t’u tregoj kurrizin dhe jo fytyrën”. 18Pastaj ata thanë: “Ejani dhe të kurdisim komplote kundër Jeremias, sepse ligji nuk do t’i mungojë priftit as këshilla të urtit dhe as fjala profetit. Ejani, ta godasim me gjuhën dhe të mos i kushtojmë kujdes asnjërës prej fjalëve të tij”. 19Kushtomë kujdes, o Zot, dhe dëgjo zërin e atyre që grinden me mua. 20A shpërblehet vallë e mira me të keqen? Sepse ata i kanë hapur një gropë jetës sime. Kujto se jam paraqitur para teje për të folur në favor të tyre dhe për të larguar prej tyre zemërimin tënd. 21Prandaj braktisi urisë bijtë e tyre dhe jepi në pushtetin e shpatës; gratë e tyre mbetshin pa fëmijë dhe të veja, burrat e tyre u plagosshin për vdekje; të rinjtë e tyre u vrafshin nga shpata në betejë. 22U dëgjoftë një britmë nga shtëpitë e tyre, kur do të lëshosh papritmas mbi ta një aradhe ushtarësh, sepse kanë hapur një gropë për të më kapur dhe kanë ngritur leqe te këmbët e mia. 23Por ti o Zot, i njeh tërë qëllimet e tyre kundër meje për të shkaktuar vdekjen time; mos ua fal paudhësinë e tyre, mos fshij mëkatin e tyre nga prania jote. U rrëzofshin para teje. Trajtoji ashpër ditën e zemërimit tënd.