1Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja. 2O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë. 3Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: “Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë”? 4Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve”. 5Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! 6Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje! 7Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. 8Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë! 9Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës. 10Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër? 11Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë”, 12ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet. 13Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë”. 14Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe. 15Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat. 16Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë! 17Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.