1Efraimi ngopet me erë dhe shkon pas erës së jugut; çdo ditë shumon gënjeshtrat dhe dhunën; bën aleancë me Asirinë dhe çon vaj në Egjipt. 2Zoti është gjithashtu në grindje me Judën dhe do ta ndëshkojë Jakobin për sjelljen e tij; do ta shpërblejë sipas veprave të tij. 3Në gjirin e nënës mori vëllain e vet nga thembra dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë. 4Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne, 5domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti. 6Prandaj ti kthehu te Perëndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershmëri dhe ki gjithnjë shpresë te Perëndia yt. 7Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë dhe i pëlqen të mashtrojë. 8Efraimi thotë: “Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; në të gjitha mundimet e mia, nuk do të gjejnë tek unë asnjë paudhësi që të jetë mëkat”. 9“Por unë jam Zoti, Perëndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do të të bëj që të banosh akoma në çadra si në ditët solemne. 10U fola profetëve, kam shtuar vegimet dhe me anë të profetëve kam përdorur krahasime”. 11Në qoftë se Galaadi jepet pas idhujtarisë, me siguri do të katandiset në asgjë. Sepse në Gilgal flijojnë dema, altarët e tyre do të jenë me siguri si grumbuj gurësh gjatë brazdave të arave. 12Jakobi iku në fushën e Sirisë dhe Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh. 13Me anë të një profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga një profet. 14Efraimi provokoi hidhët zemërimin e tij, prandaj Zoti i tij do të bëjë që mbi të të bjerë gjaku i derdhur dhe do të bëjë që mbi të të kthehet turpi i tij.