1Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë. 2Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje. 3Dhe i thanë njëri tjetrit: “O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!”. Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit. 4Dhe thanë: “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut”. 5Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar. 6Dhe Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. 7O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit”. 8Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. 9Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut. 10Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes. 11Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija. 12Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu. 13Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija. 14Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi. 15Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija. 16Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu. 17Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 18Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu. 19Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 20Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu. 21Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 22Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori; 23mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija. 24Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu; 25mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija. 26Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani. 27Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti. 28Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të Kaldeasve. 29Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut. 30Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë. 31Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Ur i Kaldeasve për të vajtur në vendin e Kanaanëve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty. 32Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.