1Pastaj Perëndia i tha Moisiut: “Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg; 2pastaj Moisiu do t’i afrohet Zotit; por të tjerët nuk do t’i afrohen, as populli nuk ka për t’u ngjitur bashkë me atë”. 3Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: “Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë”. 4Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 5Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit. 6Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar. 7Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: “Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi”. 8Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: “Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve”. 9Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën, 10dhe panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë. 11Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë. 12Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty; dhe unë do të jap disa pllaka prej guri, ligjin dhe urdhërimet që kam shkruar, me qëllim që ti t’ua mësosh atyre”. 13Pas kësaj Moisiu u ngrit bashkë me Jozueun zbatuesin e tij; dhe Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë. 14Por pleqve u tha: “Na prisni këtu, deri sa të kthehemi tek ju. Ja, Aaroni dhe Huri janë me ju; kushdo që ka probleme le t’u drejtohet atyre”. 15Moisiu, pra, u ngjit në mal dhe reja e mbuloi përsëri malin. 16Tani lavdia e Zotit mbeti në malin e Sinait dhe reja e mbuloi atë gjashtë ditë; ditën e shtatë Zoti thirri Moisiun nga mesi i resë. 17Dhe pamja e lavdisë së Zotit dukej në sytë e bijve të Izraelit si një zjarr që digjej në majën e malit. 18Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net.