1Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, 2sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. 3Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të. 4Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; 5për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes, 6midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to. 7Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. 8Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, 9edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi. 10Këtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë. 11Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, 12duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. 13Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. 14Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! 15Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! 16Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij. 17Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. 18Ju bashkëshortë, duaini bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre. 19Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin. 20Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra. 21Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. 22Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, 23duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit. 24Por ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi për asnjë. 25Zotërinj, bëni ç’është e drejtë dhe arsyeshme ndaj shërbëtorëve, duke ditur se edhe ju keni një Zotëri në qiejt.