1Por unë kisha vendosur në veten time të mos vij përsëri te ju me hidhërim. 2Sepse, në qoftë se unë ju hidhëroj, kush do të më gëzojë mua, në mos ai vetë që u hidhërua prej meje? 3Dhe ju shkrova në këtë mënyrë që, kur të vij, të mos kem trishtim nga ata që duhet të më gëzonin, duke pasur besim në ju të gjithë, se gëzimi im është i të gjithë juve. 4Ju shkrova, në fakt, me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë shumë të madhe që kam për ju. 5Edhe në qoftë se dikush ka shkaktuar trishtim, s’më ka hidhëruar vetëm mua, por deri diku, pa e tepruar, ju të gjithë. 6Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë nga shumica, 7por tani, përkundrazi, ju duhet më tepër ta falni atë dhe ta ngushlloni, që ai njeri të mos gëlltitet nga trishtimi i tepërt. 8Prandaj ju lutem t’i shfaqni dashuri, 9sepse ju shkrova edhe për këtë, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të dëgjueshëm në çdo gjë. 10Por atij që ju do t’i falni diçka, e fal edhe unë, sepse edhe unë, nëse kam falur gjë, kujtdo që t’ia kem falur, e bëra për ju përpara Krishtit, 11që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij. 12Dhe, kur arrita në Troas për ungjillin e Krishtit edhe m’u hap një derë në Zotin, 13nuk gjeta prehje në frymën time, sepse nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim; prandaj, si u përshëndeta me ta, shkova në Maqedoni. 14Por, falem nderit Perëndisë, që na bën të ngadhnjejmë gjithnjë në Krishtin dhe shfaq kudo nëpërmjet nesh erën e këndshme të njohurisë së vet. 15Sepse ne jemi për Perëndinë era e këndshme e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin; 16për këta një erë vdekjeje në vdekje, po për ata erë jete në jetë. Dhe kush është i zoti për këto? 17Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin.