1Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht. 2Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo, sepse jeni akoma të mishit; 3në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve? 4Sepse, kur dikush thotë: “Unë jam i Palit”, dhe një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni ju të mishit? 5Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit? 6Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten. 7Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit. 8Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij. 9Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë. 10Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të, 11sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti. 12Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, 13vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është. 14Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim, 15në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit. 16A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? 17Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë. 18Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë. 19Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: “Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre”; 20dhe përsëri: “Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota”. 21Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat; 22Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat. 23Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.