1Ndodhi që Davidi, mbasi u vendos në shtëpinë e vet, i tha profetit Nathan: “Ja, unë banoj në një shtëpi prej kedri, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit ndodhet nën një çadër”. 2Nathani iu përgjegj Davidit: “Bëj të gjitha ato që ke në zemër, sepse Perëndia është me ty”. 3Por po atë natë fjala e Perëndisë iu drejtua Nathanit, duke i thënë: 4“Shko t’i thuash shërbëtorit tim David: “Kështu thotë Zoti: Nuk do të jesh ti ai që do të më ndërtojë një shtëpi në të cilën unë të mund të banoj. 5Në fakt nuk kam banuar kurrë në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë Izraelin nga Egjipti deri më sot; por kam shkuar nga një çadër te tjetra dhe nga një banesë te tjetra. 6Kudo kam shkuar me gjithë Izraelin, a i kam folur vallë ndonjerit prej gjyqtarëve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të ushqenin popullin tim, duke thënë: “Pse nuk më ndërtoni një shtëpi me dru kedri?”. 7Tani do t’i flasësh kështu shërbëtorit tim David: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të mora nga vatha, kur po shkoje pas deleve, dhe të bëra princ mbi popullin tim, Izraelin. 8kam qenë me ty kudo ku ke vajtur, kam shfarosur përpara teje tërë armiqtë e tu dhe e kam bërë emrin tënd si atë të njerëzve të mëdhenj që janë mbi dhe. 9Përveç kësaj do t’i jap popullit tim të Izraelit një vend ku të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e lëvizin më, dhe të këqijtë të mos vazhdojnë ta shkretojnë si më parë, 10qysh prej kohës që kam vendosur gjyqtarët mbi popullin tim të Izraelit. Do të poshtëroj edhe tërë armiqtë e tu. Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi. 11Kur të mbushen ditët e tua dhe të shkosh të bashkohesh me etërit e tu, unë do të nxjerrë një pasardhësin tënd, që do të jetë një nga bijtë e tu, dhe do ta konsolidoj mbretërinë e tij. 12Ai do të më ndërtojë një shtëpi dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e tij përgjithnjë. 13Unë do të jem për të një atë dhe ai për mua një bir; dhe nuk do t’ia heq përkrahjen time ashtu siç ia kam hequr atij që të ka paraprirë. 14Unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë në shtëpinë time dhe në mbretërinë time, dhe froni i tij do të jetë i qëndrueshëm gjithnjë””. 15Nathani i foli Davidit duke përdorur tërë këto fjalë dhe sipas gjithë vizionit të tij. 16Atëherë mbreti David hyri, u ul përballë Zotit dhe tha: “Kush jam unë, o Zot Perëndi, ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu? 17Megjithatë kjo t’u duk një gjë e vogël para syve të tu, o Perëndi; ti fole edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët dhe më konsiderove sikur të isha një njeri i rangut të lartë, o Zot Perëndi. 18Çfarë mund të thotë akoma Davidi për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh në të vërtetë shërbëtorin tënd. 19O Zot, për dashurinë e shërbëtorit tënd dhe sipas zemrës sate, ti ke kryer gjithë këto vepra të fuqishme për t’i bërë të njohura tërë këto gjëra të mëdha. 20O Zot, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, sipas tërë ato që kemi dëgjuar me veshët tona. 21Dhe kush është si populli yt i Izraelit, i vetmi komb mbi tokë që Perëndia erdhi për ta çliruar dhe për ta bërë popullin e tij, për të të dhënë një emër me gjëra të mëdha dhe të tmerrshme, duke i dëbuar kombet përpara popullit tënd që ti ke çliruar nga Egjipti? 22Ti e ke bërë popullin e Izraelit popullin tënd për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tyre. 23Prandaj fjala që ke shqiptuar, o Zot, përsa i përket shërbëtorit tënd dhe shtëpisë së tij, të ruajë vlerën e saj për gjithnjë! Bëj siç ke thënë! 24Po, të mbetet e vlefshme, me qëllim që emri yt të shkëlqejë për gjithnjë dhe të kemi mundësinë të themi: “Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është me të vërtetë Perëndia për Izraelin”; dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje! 25Ti vetë, o Perëndia im, i ke treguar shërbëtorit tënd se do t’i ndërtoje një shtëpi. Prandaj shërbëtori yt pati guximin të lutet në praninë tënde. 26Dhe tani, o Zot, ti je Perëndia dhe i ke premtuar këtë të mirë shërbëtorit tënd. 27Ndërkaq le të të pëlqejë të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, me qëllim që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse atë që bekon ti, o Zot, është e bekuar për gjithnjë”.