1Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha: 2“Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im, 3Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna! 4Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi. 5Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar. 6Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve. 7Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij. 8Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim. 9Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij. 10Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij. 11Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës. 12Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit. 13Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij. 14Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij. 15Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau. 16Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij. 17Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha. 18Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë 19Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im, 20ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej. 21Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia, 22sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im. 23Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij. 24Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë. 25Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij. 26Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë; 27ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur. 28Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t’i ulur. 29Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim. 30Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur. 31Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai. 32Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë? 33Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time. 34Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta. 35Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi. 36Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh. 37Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast. 38Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t’i shfarosja. 39I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia. 40Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje; 41bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin. 42Ata shikuan, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre. 43Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve. 44Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer. 45Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden. 46Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre. 47Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim! 48Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt, 49dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm. 50Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd. 51Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë”.